Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të mbajtur në Antalya, Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka takuar Presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, prof. dr. Haluk Görgün, transmeton Gazeta Papirus.
Siç njofton komunikata e ministrisë, gjatë takimit, u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes. Të dyja palët theksuan rëndësinë e krijimit të partneriteteve strategjike që do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve tona.
Ministri Maqedonci theksoi se industria e mbrojtjes do të vazhdojë të ketë një vëmendje të veçantë në prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, duke vlerësuar lart rolin që ky sektor ka në rritjen e vetëqëndrueshmërisë së vendit në aspektin e prodhimit të municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake”, thuhet në komunikatë.
“Gjithashtu, u theksua se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes ndikon pozitivisht edhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke hapur rrugën për bashkëpunime të reja në të ardhmen”, përfundon komunikata.