Rastet kur Policia e Kosovës arreston persona të cilët thyejnë ligjin dhe prishin rendin kushtetues nuk janë edhe të pakta. Në tri raste të tilla, Policia konfirmon se ka konfiskuar armë të cilat nuk kanë pasur leje të mbahen.
Siç konfirmohet, në raportin 24-orësh, bëhet e ditur se dje rreth orës 00:30 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë është ndalur një person bazuar në dyshimin se mban armë në veturën e tij, shkruan Gazeta Papirus.
Me tu ndaluar nga Policia, të dyshuarit i janë konfiskuar një pistoletë me 4 fishekë. I njëJti me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër, ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu”, me ç’rast nga i dyshuari janë sekuestruar një armë dhe dy fishekë. I njëjti është dërguar në stacionin policor dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Te “Kroi i Njëlmet”, rreth orës 23:40, Policia ka kapur një person pasi që gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një revole, karikator me pesë fishekë të kalibrit 6.6 mm.
Pas intervistimit nga Prokurori i Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
/Gazeta Papirus/