Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundmi edhe një grua në Prishtinë, e cila e ka raportuar burrin e saj, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se konflikti mes tyre ka nisur për shkak të vajzës së tyre që më pas ka eskaluar në dhunë psikike.
Përballë kësaj situate, ajo ka kërkuar ndihmë pasi këto raste kanë qenë të shpeshta.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Dhuna në familje”.