Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Enver Maloku’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se 35-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se i shoqi i cili është përdorues i narkotikëve, e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht.
Sipas saj, në momentet kritike, të pranishme ishin edhe vajzat e tyre të mitura.
Njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë ndërmarrë veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes të të dyshuarit, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.