Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjetin social TikTok shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Kështu e ka pësuar edhe një 20-vjeçar, i cili u arrestua sot për një rast të ndodhur para tri vitesh, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i riu u arrestua pasi dyshohet se në vitin 2019 kishte sulmuar një person, me ç’rast pamjet e rrahjes ishin shpërndarë në TikTok.
Pasi këto pamje u publikuan gjithandej, viktima e rastit vendosi ta denoncojë të dyshuarin në Polici. Si rezultat i raportimit, i dyshuari përfundoi në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit policorë për dy vepra penale.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari gjatë dhënies së deklaratës ka pranuar veprën për të cilën dyshohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij janë iniciuar rastet për “Sulm” dhe “Ngacmim”.