Raporti më i fundit mbi financat e Komunës së Prishtinës tregon një krizë të thelluar financiare. Detyrimet kontingjente dhe pagesat për përmbarim kanë krijuar një barrë të rëndë mbi buxhetin komunal, shkruan Demokracia.com.
Buxheti i Komunës së Prishtinës po përballet me një barrë të rëndë financiare, siç dëshmohet nga raportet e fundit për vitin 2014 për detyrimet kontingjente dhe shpenzimet për përmbarime. Sipas të dhënave të publikuara, detyrimet kontingjente të komunës arrijnë në një total alarmues prej 80.2 milionë euro, ndërsa mbi 10.5 milionë euro janë humbur vjet përmes përmbarimeve dhe vendimeve gjyqësore, shkruan Demokracia.com.
Sipas raportit të komunës, detyrimet kontingjente – borxhet e papaguara që mund të ndikojnë në financat publike, përfshijnë kategori të ndryshme, si paga, shërbime, investime kapitale dhe lëndë të papërcaktuara qartë.
Janar – dhjetor 2024
- Paga dhe mëditje: 776 mijë euro
- Mallra dhe shërbime: 19.8 milionë euro
- Shpenzime kapitale: 59.6 milionë euro
- Lëndë të papërcaktuara: Shuma e paspecifikuar.
Fjala ‘kontingjente’ në këtë kontekst sugjeron detyrime apo pagesa që janë të pashmangshme dhe mund të lindin nga një çështje ligjore apo situatë e paparashikueshme. ‘Zyra e përfaqësimit juridik’ do të thotë që është një departament ose një entitet që përfaqëson ose mbron interesat juridike të një organizate apo entiteti. Kështu, ‘Raporti i detyrimeve kontingjente nga Zyra e përfaqësimit juridik’ do të jetë një dokument që dokumenton detyrimet ose pagesat e mundshme, të cilat organizata ose entiteti mund të përballet me bazë në çështje ligjore aktuale apo të ardhshme.
Mbi 10 milionë euro të humbura në përmbarim
Përveç detyrimeve kontingjente, një tjetër problem madhor është pagesa e detyruar përmes përmbaruesve privatë. Sipas raportit financiar, Komuna e Prishtinës ka paguar në vitin 2024, 10.5 milionë euro për vendime gjyqësore dhe përmbarime, një shumë që përfaqëson një menaxhim të dobët të obligimeve financiare dhe ligjore.
“Nëpërmes Thesarit, MF për përmbarime dhe vendimeve gjyqësore është ekzekutuar shuma prej: 10,582,866.64€. Në kategorinë e pagave dhe meditjeve kemi kompensime për paga jubilare dhe shujta ditore etj. Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve: kompenzim dëmi, kompensim dëmi jo material, lëndë përmbarimore etj. Në kategorinë e shpenzimeve kapitale kemi lëndë: kompensim i pronës, shpronësim, kompenzim për inflacion, etj”, thuhet në raportin që e ka parë Demokracia.com.
Nga kjo shumë:
- 3.7 milionë euro janë marrë nga paga dhe mëditje për kompensime të ndryshme.
- 714 mijë euro janë paguar për mallra dhe shërbime.
- 6 milionë euro janë paguar për investime kapitale, kryesisht për kompensime të pronave dhe shpronësime.
Fakti që komuna është e detyruar të paguajë shuma kaq të mëdha përmes përmbaruesve privatë tregon se institucionet kanë dështuar të përmbushin obligimet në kohë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare.
Në vend që buxheti të shpenzohet për projekte zhvillimore dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, miliona euro po shkojnë për të mbuluar borxhe të akumuluara dhe për të paguar vendime të humbura gjyqësore.