Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova duhet të bëjë konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë, një hap kyç që hap rrugën për formimin e ekzekutivit të vendit.
Kosova përballet me sfida të mëdha dhe ka shumë punë të rëndësishme për të kryer, prandaj kërkohet një unitet kombëtar për të adresuar çështje madhore që duhet të përshpejtohen dhe të finalizohen brenda këtij viti. Institucionet e reja, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, duhet të angazhojnë njerëz me reputacion të lartë akademik dhe profesional, pasi përpara qëndrojnë sfida të rëndësishme.
Prioritet i menjëhershëm është stabilizimi i marrëdhënieve me faktorët ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, forcimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i Kosovës. Përkrahja amerikane është thelbësore për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, prandaj duhen ndërmarrë hapa konkretë për ta forcuar atë edhe më tej.
Një tjetër sfidë madhore mbetet përmbyllja e dialogut me Serbinë, ku objektivi final duhet të jetë njohja reciproke. Kjo çështje duhet të jetë prioritet absolut për institucionet e Kosovës, duke vepruar në unitet dhe me një strategji të qartë diplomatike. Siguria e Kosovës është thelbësore dhe për këtë arsye duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Anëtarësimi në NATO do të siguronte mbrojtje afatgjatë dhe do të forconte pozicionin e Kosovës në skenën globale. Mirëqenia sociale duhet të jetë një tjetër prioritet i qeverisë së re. Rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i mundësive për të rinjtë që të punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen në Kosovë duhet të jenë synime kryesore. Niveli i arsimit, në të gjitha shkallët e tij, ka nevojë për reforma të thella që ta bëjnë atë më modern dhe të krahasueshëm me standardet evropiane.
Investimi në arsim është investim në të ardhmen e vendit. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i kushteve të favorshme për investime të huaja. Për këtë, qeveria duhet të krijojë ekipe të posaçme që do të fokusohen në tërheqjen e investitorëve dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë. Sistemi shëndetësor duhet të reformohet dhe të miratohet ligji për sigurimet shëndetësore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët dhe duke ndaluar largimin e tyre nga vendi.
Qëllimi duhet të jetë që profesionistët më të mirë të mbeten dhe të kontribuojnë në zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Infrastruktura duhet të përfundojë projektet e nisura dhe të zhvillohen projekte të reja kapitale që rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve. Investimet në sektorin e energjisë janë po ashtu të domosdoshme për të siguruar stabilitet energjetik në të gjithë territorin e Kosovës.
Për të realizuar të gjitha këto objektiva, Kosova nuk duhet të humbasë kohë. Është koha për të krijuar një qeveri stabile, me njerëz që kanë ide dhe vizion për të ardhmen e vendit. Mbi të gjitha, uniteti kombëtar është më i domosdoshëm se kurrë, dhe interesat personale duhet të lihen mënjanë kur bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit.
Shkruar nga: Prof. Dr. Petrit Nimani