Duka i Sussex-it i ka thënë BBC-s se “do të donte një pajtim” me Familjen Mbretërore, në një intervistë emocionale ku shprehu zhgënjimin e thellë për humbjen e betejës ligjore mbi sigurinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Princi Harry deklaroi se Mbreti “nuk më flet për shkak të kësaj çështjeje të sigurisë”, por theksoi se nuk dëshiron më të vazhdojë konfliktin dhe shtoi se “nuk e di sa gjatë do ta kem ende babanë tim”.
Intervista u zhvillua në Kaliforni, pas vendimit të gjykatës që refuzoi apelimin e princit për të rikthyer nivelet e mëparshme të sigurisë që ai dhe familja e tij kishin kur ndodheshin në Mbretërinë e Bashkuar.
Pallati Buckingham reagoi duke thënë: “Të gjitha këto çështje janë shqyrtuar në mënyrë të përsëritur dhe të imtësishme nga gjykatat, të cilat kanë dalë në të njëjtin përfundim në çdo rast.”
Pas vendimit të së premtes, Princi Harry deklaroi: “Nuk mund ta imagjinoj një situatë në të cilën do të sillja gruan dhe fëmijët e mi në Mbretërinë e Bashkuar për momentin.”
Ai shtoi: “Ka pasur shumë mosmarrëveshje mes meje dhe disa anëtarëve të familjes, por i kam falur. Do të doja shumë që të pajtoheshim. Nuk ka më kuptim të vazhdojmë të luftojmë, jeta është e çmuar.”
Princi theksoi se debati për sigurinë ka qenë gjithmonë pika kryesore e përplasjes. Ai kishte kërkuar të rrëzonte ndryshimet në masat e sigurisë të vendosura në vitin 2020, kur hoqi dorë nga detyrat mbretërore dhe u zhvendos në SHBA.
Duke shprehur ndjenjën e tradhtisë, ai e përshkroi humbjen në gjykatë si një “manovër klasike e establishmentit” dhe akuzoi shtëpinë mbretërore për ndikim në vendimin për reduktimin e sigurisë së tij.
I pyetur nëse kishte kërkuar ndërhyrjen e Mbretit në këtë çështje, Princi Harry tha: “Nuk i kam kërkuar të ndërhyjë – i kam kërkuar të tërhiqet dhe t’u lërë ekspertëve punën e tyre.”
Ai shtoi se mënyra si ishte trajtuar gjatë këtij procesi kishte “nxjerrë në pah frikërat e mia më të mëdha”.
Lidhur me vendimin, ai u shpreh: “Jam i shkatërruar – jo aq shumë për vendimin në vetvete, por për njerëzit pas tij, që mendojnë se kjo është e pranueshme. A është një fitore për ta?”
Ai vijoi: “Jam i sigurt që ka njerëz – ndoshta ata që më duan të keqen – që e shohin këtë si një fitore të madhe.”
Princi Harry tha se vendimi për t’i hequr të drejtën automatike për siguri ndikon mbi të “çdo ditë”, dhe se në rrethanat aktuale mund të kthehet i sigurt në Mbretërinë e Bashkuar vetëm nëse ftohet nga Familja Mbretërore – pasi atëherë do të përfitonte masa të mjaftueshme sigurie.