Policia e Kosovës është deklaruar pas akuzave nga priftërinjtë serbë se nuk u lejuan të mbajnë liturgji në Kishën Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, i tha Gazetës Express se në orët e hershme të mëngjesit kanë ndaluar një veturë me tre shtetas të huaj brenda. Pas veprimeve verifikuese, Policia thotë se ata u lanë të lirë.
Sot rreth orës 04:30, njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj”, tha Borovci.
“Ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej”, shtoi ai.
Nga Policia bëjnë të ditur se përveç një liturgjie në Kishën Ortodokse që po mbahet në fshatin Bardhosh të Prishtinës, nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet tjetër fetar.
“Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar”, tha Borovci.
“Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij”, deklaroi ai.
Disa klerikë serbë pretenduan se Policia e Kosovës i ka ndaluar të mbajnë liturgji në Kishën Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Famullitari Stanisa Arsiq ka thënë për “Kosovo Online” se policia ua ndaloi hyrjen në këtë kishë mëngjesin e sotëm. Ai pretendon se ishte një kordon prej tetë policësh që i ndaluan të hynin brenda.