Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar të vrarët në masakrën në tregun e Mitrovicës, ku 24 vjet më parë ishin masakruar gjashtë persona, në mesin e të cilëve fëmijë e gra, teksa ishin plagosur 128 banorë shqiptarë.
“24-vjet më parë, ushtria dhe policia e regjimit gjenocidal të Serbisë, sulmoi me granata tregun e Mitrovicës, ku pësuan me jetë gjashtë persona, në mesin e të cilëve fëmijë e gra, teksa u plagosën 128 banorë shqiptarë. Sot është ditë pikëllimi e reflektimi, ndaj kujtojmë me respekt jetët e humbura, por edhe qëndrueshmërinë e të mbijetuarve të kësaj barbarie. Mbetet përkushtim i yni që të vërtetën për krimet sikurse ky ta themi gjithmonë dhe kudo, por edhe të angazhohemi maksimalisht që drejtësia të vihet në vend”, ka thënë Osmani.