Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, duke thënë se ai e përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit, raporton Express.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se Nishani ia kushtoi një jetë të tërë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tha se ka qenë shembull i politikanit racional e me integritet.
“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, ka shkruar Osmani.