Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gjikolli, pas ndarjes nga jeta të drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit, Arlind Gjikolli – Gjikla.
Osmani ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, komunitetin kulturor dhe medial.
Ajo tutje ka theksuar se tashmë i ndjeri Arlind Gjikolli ka lënë gjurmë jo vetëm në botën e muzikës, por edhe në atë të medias pasi me vite ka kontribuar në portalin Telegrafi.
“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Arlind Gjikollin!”, thuhet ndër të tjera në letër.
Drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla, u nda nga jeta mbrëmjen e së hënës (5 dhjetor), në moshën 41 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Letra e plotë:
E nderuar familja Gjikolli,
Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për vdekjen e parakohshme nga jeta të Arlind Gjikollit.
Ai la gjurmë në jo vetëm në botën e muzikës, por edhe në atë të medias, ku prej shumë vitesh ka kontribuar në portalin “Telegrafi”.
Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij medial!
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes.