Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu gjatë vizitës zyrtare në Kosta Rikë, ka takuar homologun e saj nga Republika Dominikane dhe janë pajtuar që ta avancojnë partneritetin ndërshtetëror tutje.
Në takim me presidentin Abinader, presidentja Osmani ka theksuar se Republika Dominikane mbetet aleat i rëndësishëm i Kosovës në Amerikën Latine.
Sipas një komunitate të Presidencës, ndër të tjerash, në takim u diskutua për raportet miqësore në mes të vendeve tona dhe mundësitë më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë, turizmin, si dhe fusha të tjera.
“Forcimi i pozitës ndërkombëtare është një prej shtyllave kryesore strategjike të politikës sonë shtetërore, prandaj jam e lumtur që me presidentin Abinader u dakorduam për ta avancuar partneritetin tonë diplomatik duke i afruar kështu edhe më shumë dy vendet tona”, ka thënë Presidentja Osmani.