Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nervozuar me pyetjen e gazetarit për skandalin e raportuar të ambasadorit Martin Berishaj.
Osmani në konferencë për media i është drejtuar gazetarit duke i thënë se po bën konstatim dhe jo pyetje, shkruan lajmi.net.
Ajo ka thënë se kjo çështje është raportuar vetëm në media dhe për këtë nuk ka ndonjë vendim të një organi gjyqësor.
“Është për keqardhje. Nuk ishte pyetje por konstatim. Ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media. Por të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë”, tha Osmani duke shtuar se ka vepruar në përputhje me interesat shtetërore dhe ligjin.
Madje, Osmani e ka cituar presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, duke thënë se demokracia po rrezikohet nga dezinformatat.
“Sa i përket atyre që publikohen, siç e ka thënë presidenti Biden: Rreziku për demokracinë nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat”, tha ajo.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës tonë”, tha Osmani