Presidentja e Greqisë u takua sot me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Beograd, një ditë pas deklaratës së saj që bëri jehonë të madhe në Kosovë. Ajo përsëri u shpreh për Kosovën, dhe përsëri deklarata është e dhimbshme. Por, çka thoshte Kurti për qëndrimin e Greqisë ndaj Kosovës?
Pas takimit të dy presidentëve i erdhi radha edhe konferencës për media. A do ta përmendte presidentja greke Kosovën, apo do të tregohej më miqësore se dje?
Fatkeqësisht, e para ndodhi.
Ajo u shpreh në mënyrë të fjalëpërfjalshme se qëndrimi i Greqisë për Kosovën “mbetet i pandryshuar” përkundër arritjes së marrëveshjes së Ohrit, asaj të Brukselit, takimeve të përzemërta të zyrtarëve grekë me Kurtin e të tjera.
“Ne mbështesim bisedimet e fundit. Qëllimi ynë është forcimi i pozitës ekonomike të Serbisë. Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar…” – tha presidentja greke Katerina Sakelaropoulou, duke e pranuar më pas se vendi i saj po përballej me presion ndërkombëtar për ta ndryshuar këtë qëndrim.
Kjo vizitë e presidentes greke në Beograd erdhi vetëm disa ditë pas vizitës që e kishte bërë kryediplomati Nikos Dendias.
Dendias kishte qenë edhe në Prishtinë në disa takime me liderët institucionalë të vendit.
Pse e gjithë kjo është e dhimbshme?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, çdo verë në dy vitet e fundit e ka nisur në ‘luksin’ e Greqisë. Ai ishte takuar me shumë e shumë zyrtarë grekë, dhe kishte lënë përshtypjen/shpresën se qëndrimi i këtij shteti mund të ndryshonte.
Por, edhe matanë fillimverës, Kurti ishte parë edhe në takime tjera me zyrtarë grekë.
Pas një mbledhjeje të qeverisë në vitin e kaluar, kryeministri Kurti, kishte thënë që Greqia “ka avancuar në diskurs” sa i përket Kosovës.
“Unë besoj që Greqia ka avancuar në diskurs, por sa jemi afër ditës kur edhe Greqia do ta njoh Kosovën nuk mund ta them tani. Unë besoj që është ministri i jashtëm grek Dendias i cili në aspektin legal e ka hapur shtegin për ndryshim të qëndrimit. Është kapërcim tektonik në ndryshim të njohjes që nuk dihet kur do të vijë,” – ishte shprehur ai.
Fatkeqësisht, nga fjalët e presidentes greke nuk duket se Greqia “ka avancuar në diskurs”.
Njohja nga Greqia ishte përmendur si një spekulim tash e shumë kohë, por fatkeqësisht nuk erdhi.
Deputeti i VV-së, Haki Abazi, nuk kishte ngurruar që ta kritikonte ashpër shefin e tij partiak dhe kryeministrin Kurti në një seancë të Kuvendit pikërisht sa i përket Greqisë.
““…Përqafimi me ministrin grek është i mirëseardhur kur vjen njohja greke… Por, neve nuk na bën nder që ta lejojmë Greqinë të bëhet fuqi rajonale. Shqiptarët do të duhej të ishin fuqi. Përqafimi me ministrin grek nuk na bën nder.” – kishte thënë z. Abazi.
Kryeministri i vendit kishte qëndruar në Greqi vitin e kaluar gjatë verës për më shumë se një javë.