Ne emisionin ‘RTK Prime’, Osamni e pyetur për gjuhën e rëndë dhe fyese të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, ka thënë se ai e ka sqaruar,dhe se mediat nuk i ka quajtur ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.
“Ai e ka sqaruar , nuk i ka quajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale, mjafton ta lexoni statusin”, ka thënë Osmani në RTK.
Por diçka tjetër flet statusi i ‘Zotriut të Parë’, i shkruar në orët e vona të së martës, ku me një gjuhë të ashpër i cilëson mediat ‘Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale’.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.
Për këtë gjuhë linçuese dhe të rëndë ndaj mediave të lira, kanë reaguar edhe Bashkimi Europian dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Përmes një përgjigje me email thonë se BE’ja mbështet lirinë dhe pluarlizimin e mediave si shtyllë e demokracisë.
“Bashkimi Evropian mbështet lirinë dhe pluralizmin e mediave si shtylla të demokracisë dhe mundësues të një debati të lirë dhe të hapur. Liria e mediave dhe pluralizmi sigurojnë rrjedhjen e informacioneve dhe luajnë një rol kyç në mbajtjen e pushtetit në llogari. Përkushtimi i Bashkimit Evropian për të respektuar lirinë e mediave dhe pluralizmin dhe për të mbështetur lirinë e shprehjes, që përfshinë edhe të drejtën e marrjes dhe dhënies së informacioneve pa ndërhyrje nga autoritetet publike, janë të përfshira në nenin 11 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, i cili pasqyron nenin 10 të Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, kanë thënë nga zyra e BE.
Gjithashtu ka reaguar edhe raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon, ndaj gjuhës së Prindon Sadriut, bashkëshortit së presidentes Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Metro.
Viol Von Cramon me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se është duke ndjekur nga afër fushatën denigruese ndaj gazetarëve në Kosovë.
“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, është shprehur ajo.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, tutje ka thënë se Kosova ka shërbyer si shembull për një ambient pluralist.
“Kosova ka shërbyer si shembull për një ambient pluralist, ne do të dëshironim të shihnim standardet e BE-së të shprehjes së opinionit të qëndrojnë të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik”, ka thënë Von Cramon..