Kroacia mbështet fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe pret që ta njohin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, i ka thënë të martën presidenti kroat, Zoran Milanoviq ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz.
Kështu thuhet në një njoftim për media nga presidenca kroate, teksa Milanoviqi shtoi se Kosova mund të llogarisë vazhdimisht në mbështetjen e fuqishme të Kroacisë.
“Presidenti Milanoviq i konfirmoi ministres Gërvalla-Schwartz se Kosova gjithmonë ka mundur të llogarisë dhe mund të llogarisë edhe më tej në mbështetjen e Republikës së Kroacisë kur kemi të bëjmë me afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës euro-atlantike të Kosovës. Presim që të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti kroat, transmeton klankosova.
Ai gjithashtu mirëpriti përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat tha ai, “do të garantojnë stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe do të garantojnë perspektivë evropiane për tërë rajonin”.
Përveç zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme Gërvalla-Schwartz, në takim ishin edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, zëvendësministri i Jashtëm Kreshnik Ahmeti, këshilltari politik Shpëtim Hajdaraj dhe sekretaren personale Besiana Havolli.
Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin edhe pesë shtete të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia.