Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, nga Shkupi ka dhënë një mesazh të qartë, duke theksuar se deklarata mbi bashkëpunimin mbrojtës mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk përbën kërcënim për Serbinë.
“Nuk kam marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e këtij dokumenti, por si president i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura e mbështes këtë memorandum. Dhe në një farë mënyre dua t’i qetësoj shtetet fqinje, si për shembull Serbinë, se nuk ka arsye për shqetësim. Maqedonia e Veriut është në NATO, dhe kjo mjafton”, tha në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Milanoviç.
Presidenti kroat sqaroi se dokumenti i nënshkruar mes tre ministrave të mbrojtjes nuk është një marrëveshje ndërkombëtare formale, por një memorandum bashkëpunimi, pa pasoja juridike.
“Dokumenti që përmendët nuk është marrëveshje, por një deklaratë, pra një memorandum. Është një dokument që është nënshkruar në formë protokolli nga tre ministra të mbrojtjes. Nga pikëpamja e sistemit kushtetues kroat, ai nuk plotëson kushtet për të qenë marrëveshje ndërkombëtare – është thjesht një deklaratë, pa pasoja juridike ndërkombëtare,” shtoi ai.
Milanoviç theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë vende anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova mbetet një shtet mik, ende jashtë BE-së dhe NATO-s.
“Nëse do të përfaqësoja Maqedoninë e Veriut, nuk do të shqetësohesha fare për këtë çështje. Nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, por është në linjë me politikën e jashtme të Kroacisë.”
Pas takimit me Siljanovska Davkovën, presidenti kroat pritet të takohet edhe me kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup/GAZETA PAPIRUS/