Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, ka folur për kontaktet që shteti i Kosovës i ka pasur ndër vite me Selinë e Shenjtë, gjegjësisht Vatikanin.
Ai tha se kontakti i Kosovës me Selinë e Shenjtë ka nisur që nga periudha kur ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka vizituar dy herë Vatikanin dhe sipas tij, kontaktet kanë vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Janë relacione, siç i quajnë diplomatët e Vatikanit, relacione paradiplomatike. Më 17 shkurt të vitit 2008, zëdhënësi i Papës, Ati Lombardi del me qëndrim ku thotë se Kosova është realitet i ri i cili duhet të kultivohet dhe pret një dialog të vazhdueshëm mes Kosovës dhe Serbisë deri në pajtim të përhershëm”.
“Kjo është njohje implicite nga ana e Vatikanit të pavarësisë së Kosovës. S’ka vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe s’ka ende komunikim protokollar, por janë komunikime para-diplomatike”.
“Në lidhje me njohjen, që në fillim të shtetësisë së Kosovës kur Kosova ka bërë komunikimet e para jozyrtare me Sekretarinë e Shtetit që në atë kohë i thotë Kosovës se Vatikani njeh vetëm vendet që janë anëtare të OKB-së dhe njohja e Kosovës nga Vatikani mund të shkaktojë çarje në mes Selisë së Shenjtë dhe Patrikanës në Moskë, gjegjësisht Patrikanës në Beograd”, tha Prenkaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se me ardhjen e Papa Françeskut, qëndrimi i Vatikanit ka ndryshuar, pasi vet ai para medieve ka njoftuar se do t’i vizitojë edhe vendet e vogla, përfshirë Kosovën,
Prenkaj tha se mosardhja e tij ka ndodhur për shkaqe shëndetësore dhe shkaqe të tjera, teksa tregoi edhe miratimet që duhet të jenë që një Papë ta vizitojë një vend.
“Për ardhjen e një Papë në një shtet, duhet të jenë tri miratime, i pari është miratimi i shtetit, duhet të jetë miratimi i përfaqësuesve të religjionit kryesor më ta madh, që në këtë rast, BIK-u s’ka pasur asnjë problem për vizitën e Papës”, tha Prenkaj.
Papa Françesku vdiq pesë ditë më parë, ndërsa sot Vatikani ka njoftuar sot se Papa është varrosur.