Zjarrfikësit po vazhdojnë të kërkojnë zgjidhjen e statusit të tyre, por që kjo kërkesë e tyre tashmë e sa vite nuk po merr epilog. Zjarrfikësit aktualisht pagat i marrin nga ana e komunave, ndërsa menaxhohen nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Megjithatë, institucionet shtetërore premtojnë se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.
Mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror po vlerësohet si arsye pse shërbimi i zjarrfikësve ka mbetur në një gjendje të keqe, pa investime e me buxhet të ulët.
Kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, thotë se zjarrfikësit kanë mbetur në gjendje të mjerueshme, me buxhet të vogël e me pajisje të punës tejet të vjetërsuara. Arsye për këtë gjendje thotë se është mungesa e definimit të statusit, pasi që shprehet se komunat dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk po ofrojnë zgjidhje për problemet e tyre por vetëm po e hedhin fajin ndaj njëra-tjetrës.
“Kjo është shumë e rëndësishme për ne, së paku ta kemi një adresë, së paku ta dimë kush është kompetent, kush është përgjegjës, duhet ta dimë kush është punëdhënës. Jo në këtë gjendje që është krijuar ky dualizëm mes nivelit lokal dhe qendror, secila duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Kjo është e pakuptimtë dhe kjo është duke zgjatur me vite, me dekada. Mendoj që është fundi i kësaj gjendjes këtu, kjo me thënë të drejtën unë i falënderohem të gjithë zjarrfikësve, kanë treguar një vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar, të gjitha shërbimet tjera janë më të avancuara, të gjitha shërbimet i kanë kushtet më të mira edhe prapë zjarrfikësit nuk kanë krijuar situata, çdo herë kanë qenë racional në kërkesa”, thotë Beka.
Përveç definimit të statusit, Beka thotë se zjarrfikësit kërkojnë edhe kompensimin e ndërrimit të natës, për festat dhe për punën jashtë orarit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, që është edhe pjesë e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, thotë se çështja e statusit të zjarrfikësve do të trajtohet me prioritet edhe në kuadër të komisionit.
“Është e vërtetë që çështja e zjarrfikësve është një preokupim edhe i yni, i grupit më të madh parlamentar, por gjithashtu edhe i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje. Ne e kemi ngritur si shqetësim, po besojmë se Ministria e Punëve të Brendshme do ta adresojë, jemi në pritje të një draft ligji i cili do të rregullojë edhe kompetencat dhe fushë veprimtarinë e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, në kuadër të të cilit bëjnë pjesë edhe zjarrfikësit. Vërtetë kanë një status të padefinuar sepse diku është përgjegjëse Komuna, diku Agjencia, kështu një moskoordinim total dhe shkakton pengesa të mëdha në funksionimin e kësaj organizate… Ne e kemi pasur në raport ministrin e Punëve të Brendshme dhe jemi interesuar për këtë çështje, ai na ka premtuar se është duke u punuar në këtë draft ligj dhe shumë shpejtë presim, nuk e di ku janë procedurat, presim që të na vijnë në komision dhe ta trajtojmë me prioritet”, thotë Dugolli.
Kritikë për qeverinë për moszgjidhje të statusit të zjarrfikësve janë partitë opozitare, pjesë e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, deklaron se është tejet e rëndësishme që të definohet statusi i zjarrfikësve, derisa thotë se është shumë më mirë që zjarrfikësit të merren nën menaxhim nga niveli qendror.
“Problemet e statusit të zjarrfikësve i kemi të njohura dhe jemi duke punuar, së shpejti do të dalim me ato rekomandime dhe është e nevojshme që zjarrfikësit të definohet a janë me Qeverinë apo me Komunat, apo me të dyja, do të thotë duhet të definohet. Jemi duke punuar, do t’i thërrasim edhe në komision, megjithëse i kemi thirr edhe më përpara. I njohim ato probleme, do t’i trajtojmë dhe do të dalim me konkluzione si komision për Qeverinë në mënyrë që të definohet statusi i tyre… Ndoshta do të ishte më mirë të merren nën menaxhim komplet nga niveli qendror, sepse Komunat duke e pa këtë hapësirë, as niveli qendror nuk ju ndihmon, po as Komunat nuk merren me ta. Përndryshe zjarrfikësve duhet t’ju ndihmojë edhe shteti edhe Komunat, të dyja”, thotë Berisha.
Edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se është shumë e rëndësishme zgjidhja e statusit të zjarrfikësve. Sipas tij, zjarrfikësit duhet të jenë nën menaxhimin e nivelit qendror edhe për shkak që të gjitha njësitet e zjarrfikësve në nivel vendi të kenë buxhet të njëjtë.
“Ata kanë mbetur në mes mëshirës së Komunave dhe mëshirës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mos të harrojmë që momentalisht gjendja në të cilën operojnë sot zjarrfikësit është e mjerueshme, si për nga aspekti i pajisjeve që kanë, pasi kanë pajisjet më të vjetra që ekzistojnë diku, shumica prej tyre janë dhënë donacione… Statusi pastaj do t’i hapte rrugë edhe përmirësimit të kushteve edhe pagave më të mira, mos të harrojmë që zjarrfikësit me paga janë tmerr. Do të thotë e kanë një pagë shumë minimale, ndërsa puna e tyre është me rreziqe të larta. Mos të harrojmë që edhe mosha e zjarrfikësve është mjaftë e vjetër, diku mbi 50 vjet nëse nuk gaboj është mosha mesatare, prandaj ka nevojë për një mbështetje në të gjitha aspektet për zjarrfikësit e Kosovës”, thotë Qalaj.
Nehat Koçinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent , pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një përgjigje me shkrim tha se pritet që çështja e statusit të zjarrfikësve të marrë zgjidhje së shpejti.
“Çështja e statusit të zjarrfikësve është në proces, të gjithë faktorët relevantë vendorë janë të angazhuar pa rezervë të arrihet epilogu i duhur. Besojmë se së shpejti edhe do të ketë epilogun e duhur, gjithsesi ndërlidhur me përfundimin e dy proceseve të cilat zhvillohen paralelisht dhe aktualisht janë në procedurë, si : Ligji në plotësim ndryshim i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent MPB, dhe Ligji për menaxhimin e financave lokale-Komunale, e ky i fundit ishte pengesa kryesore në procesin e tranzicionit të pritshëm deri më sot”, tha Koçinaj.