Ende është e paqartë nëse udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, dha dorëheqje apo u shkarkua. Ajo çfarë dihet është se Pranvera Ejupi-Hajzeraj, nuk do të jetë më në krye të këtij divizioni. Si erdhi deri te ky largim?
Gazeta Nacionale ka mësuar se gjithçka kishte nisur nga një takim që Pranvera Ejupi-Hajzeraj e kishte pasur me avokatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt, avokati Pierre Prosper qëndroi gjatë javës së kaluar në Kosovë, dhe u takua me Ejupi-Hajzerajn.
Ky takim i Pranvera Ejupit me Pierre Prosper, doli të ishte njëkohësisht i fundit që ajo do ta kishte në cilësinë e Drejtoreshës së Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja. Burimet e informuara mirë brenda këtyre zhvillimeve, i kanë thënë Nacionales se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë i kanë kërkuar llogari Ejupi-Hajzerajt për takimin me avokatin e Thaçit.
“Udhëheqësja e Divizionit e ka pasur një takim me avokatin e Thaçit, Pierre Prosper, i cili javën e kaluar ishte në Kosovë. Këto takime kanë qenë normale, pasi zyrtarët e këtij Divizioni janë takuar edhe me avokatë të tjerë”, kanë thënë burimet e gazetës Nacionale brenda Ministrisë së Drejtësisë.
Këtu, siç ka mësuar gazeta, kishin nisur edhe problemet që kishin kulmuar me largimin e Pranvera Ejupit nga Divizoni për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale.
“Pas takimit, asaj (Pranvera Ejupit) i është bërë një presion tepër i madh. I kanë thënë se nuk po raporton saktë për takimet me avokatët, derisa e kanë detyruar që të premten të japë dorëheqje”, theksuan për Nacionalen burimet brenda MD-së.
avën e kaluar qenë publikuar fotografi të avokatit të Thaçit, Pierre Prosper, i cili kishte qëndruar në Kosovë. Madje, kishte vizituar edhe prindërit e ish-presidentit të Kosovës në fshatin Burojë të Skënderajt.
Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë me Pranvera Ejupin për të kuptuar më shumë rreth largimit të saj nga Divizioni, por që e njëjta nuk ka pranuar të përgjigjet.
Se largimi i Ejupit ka ardhur pas takimit me avokatin e Thaçit, e kanë mohuar nga Ministria e Drejtësisë.
“Sa u përket pyetjeve tuaja, fillimisht ju njoftojmë se vendimi i ministres Haxhiu nuk ka të bëjë me takimin e supozuar nga ju”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Nacionalen.
E në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se Pranvera Ejupi-Hajzeraj nuk i ka kryer obligimet e parapara sipas ligjit.
“Gjatë ushtrimit të përgjegjësive të saj, Udhëheqësja e Divizionit për koordinimin e procesit dhe mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, në mënyrë të përsëritur nuk i është përmbajtur obligimeve që rrjedhin nga përgjegjësitë e angazhimit të saj duke tejkaluar kompetencat dhe gjithashtu duke raportuar në mënyrë të pasaktë. Raportimi i pasaktë dhe tejkalimi i kompetencave, bie ndesh me rregulloren përkatëse dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendim.
ÇFARË NDODHI?
Të shtunën, gazeta Nacionale raportoi se udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja, kishte dhënë dorëheqje. Lajmin e kishte konfirmuar vetë Pranvera Ejupi-Hajzeraj.
“E vërtetë është, unë kam dhënë dorëheqje dje prej këtij pozicioni që e kam mbajtur që dy vjet. E kam email-in, arsyet nuk mund t’i them tash”, kishte thënë Ejupi për Nacionalen.
Pak minuta më pas, Genc Nimoni, shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, tha se Ejupi-Hajzeraj nuk ka dhënë dorëheqje por është shkarkuar. Si arsyetim, Nimoni e përmendi mosraportimin e saktë.
“Është shkarkuar për shkak të tejkalimit të kompetencave dhe mosraportimit të saktë”, kishte thënë Nimoni.
Pranvera Ejupi në këtë pozitë kishte qëndruar për dy vjet. Madje, vitin e kaluar ajo kishte udhëtuar drejt Hagës bashkë me zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, në vizitë tek të paraburgosurit.
Në vitin 2019, ajo kishte qenë kandidate për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
ÇKA ËSHTË KY DIVIZON?
Themelimi i këtij Divizioni është si rrjedhojë e obligimeve që dalin për Ministrinë e Drejtësisë nga Neni 7 i Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave Potencialë të Akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që si qëllim ka mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të cilat rrjedhin nga Rregullore QRK 12/2018, janë:
1.1. koordinon dhe përkujdeset për realizimin e udhëtimeve për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara (në tekstin e mëtejmë: anëtarëve të ngushtë të familjes);
1.2. vendos për kërkesën e palës për kompensimin e udhëtimit për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes;
1.3. përkujdeset për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe rezervimin e hotelit sipas kërkesës së anëtarëve të ngushtë të familjes;
1.4. proceson lëndët për pagesë sipas kërkesave të parashtruara;
1.5. menaxhon kontratën për ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara;
1.6. mban regjistrin e personave të akuzuar dhe listën e anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre si dhe ruan dhe trajton këto të dhëna sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale
1.7. menaxhon procesin e kompensimit të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.