Besnik Bislimi, zëvendësi i kryeministrit Albin Kurti të hënën i zhvilloi disa takime në Bruksel, nga të cilat tha se “rezultatet as nuk është dashur të priten”. Por nga atje vendosi të tregojë për disa dokumente që tha se emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ua solli në Prishtinë javën e kaluar. Në dokumentet të cilat askush s’i përmendi deri mbrëmë, u tha se përfshihet edhe një metodologji për atë se si Lajçak e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të Asociacionit.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, dje pas takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel, foli për disa dokumente, të cilat tregoi se emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, ua solli në Prishtinë gjatë vizitës së fundit javën e kaluar.
“Për takimin e nivelit e lartë në 2 maj nuk ka qenë pjesë e takimit sot, mirëpo ka qenë dokumente të cilat na ka sjellë z. Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë. Ai ka sjellë, për shëmbull, një draft se si do të duhej të dukeshin termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e Marrëveshjes Bazike, draft-dokument për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me zbatimin e Marrëveshjes për të Pagjeturit dhe një metodologji për atë se si ai e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të pikës 7 të Marrëveshjes Bazike”, tha Bislimi.
Për dy dokumentet, Bislimi tha se e kanë pasur të pamundur që të shkojnë në Bruksel me përgjigje të plota, por tha se kanë premtuar që ato do t’i dorëzojnë të premtën. Metodologjinë rreth Asociacionit, Bislimi e kundërshtoi.
“Për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutu fare’’, tha ai.
Zëvendëskryeministri tha se drafti i statutit të Asociacionit i prezantuar në takimin e fundit të nivelit të lartë “nuk trajtohet si pikënisje”, por akti i prezantimit “shënon pikënisjen e diskutimeve” për zbatimin e pikës 7, e cila thekson obligimin “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Ajo çfarë ka shkruar Lajçak në Facebook, Bislimi tha se “ka qenë gabim teknik”.
Në lidhje me sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, Bislimi tha se aneksi i Ohrit “shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar” Në të kundërtën, ai tha se BE-ja do t’i ikte dokumentit “që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre”.
Në takimet e djeshme pa ndonjë rezultat, Bislimi tha se në agjendën e diskutimit ishte “gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit”, ndërsa theksoi se sekuencimi i hapave të zbatimit të sak për ta “ka qenë pjesa qendrore”.
“Ne kemi patur një propozim të z. Lajcak, ku kemi patur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në këtë draft-dokument të z. Lajcak ku kemi zgjeruar domenin dhe kemi dashur të sigurohemi që secili nen i Marrëveshjes Bazike është i përfaqësuar në aktivitetin e zbatimin e tij. Pala serbe nuk ka dërgu ndonjë propozim por ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka patur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet në mënyrë që bashkarisht të dilet me një plan të zbatimit”, tha Bislimi.
Sipas zëvendëskryeministrit, procesi tani është në fazën e fillimit të diskutimeve, “në mënyrë që ta kemi të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe ku duam të shkojmë”, por tha se “nuk është që kemi pritur që sot të përfundojmë ndonjë nga proceset’’. Ai tha se dje çështja e veriut nuk u diskutua fare.
Vuçiq e kishte përmendur një propozim: Unë e pranova, Kurti refuzoi
Pas takimit të fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel, ky i fundit e kishte përmendur një propozim të BE-së për tejkalimin e situatës në veri të vendit pas zgjedhjeve.
“Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta kalojmë atë situatë”, ka thënë Vuçiq më 3 maj, duke shtuar se shpreson që në takimin e radhës të nivelit të lartë apo teknik “do të ketë reagime nga disa të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla”.
Para një jave, Vuçiq foli sërish përë atë propozim, duke e cilësuar të drejtë. Propozimi, sipas tij, ishte të vendosej ndonjë zgjidhje kalimtare me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas disa muajsh dhe që përfshinte formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kthimin e serbëve në institucione.
“Ata donin diçka që të ishte drejtësi relative, ndërsa Borelli tentoi t’ia sqaronte Kurtit se nuk ka kuptim që t’i përshëndesë zgjedhjet me 3% pjesmarrje të qytetarëve sepse do të kishte probleme. Kurti u përgjigj se policia këtë do ta zgjidhë sepse këto janë veçse struktura kriminale” ka thënë Vuçiq.
Nga BE-ja nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Express në lidhje me propozimin për të cilën ka folur Vuçiq.
Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë në takimet e radhës dhe vijimësinë e dialogut. Bislimi tha mbrënë se “nuk e kemi precizuar sot se si do të ecet tutje”. Data 28 maj, deri kur kanë afat kryetarët e rinj shqiptarë në veri ta marrin detyrën dhe ta bëjnë betimin, për Bislimin “nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi”.
“Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë.’’ përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.
Duke e përmendur 28 majin, Vuçiq pas takimit të Kurtit ka thënë se “po afron një krizë e madhe”.