Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, tha të enjten se është e qartë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një hap thelbësor që duhet të ndërmerret për të siguruar vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Power i bëri këto komente në një fshat afër komunës së Gjilanit rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës, në ditën e parë të vizitës së saj në Kosovë.
“Marrëveshja është aty, ka urgjencë për shembull për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpresojmë që tani më në fund dialogu ka një rrugë se si do të duket. Edhe pse palët ende nuk kanë qëndrime të përbashkëta se cili do të jetë modaliteti, kjo është hera e parë që po ndodh ky lloj i angazhimit thelbësor”, tha zonja Power duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit është diçka që zyrtarët në Serbi e konsiderojnë shumë të rëndësishme.
“Prandaj është e rëndësishme tani që idetë janë paraqitur, të arrihet kompromisi në mënyrë që të mund të vazhdojë normalizimi i cili do të çojë përfundimisht në njohjen përfundimtare, njohjen e ndërsjellë”, tha ajo.
Power tha se nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur, është vetëm një hap për të ndriçuar fatin e mbi 1 mijë e 600 personave që mbetën ende të zhdukur.
“Dhe si anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, jam gjithashtu në rajon për të folur për, normalizimin, për marrëveshjen e fundit dhe kuadrin për normalizim që është shumë e rëndësishme të zbatohet”, tha ajo.
Zonja Power shkoi në Kosovë pas një vizite në Serbi, ku premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.
Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.
Të dyja vendeve u është thënë se duhet të normalizojnë marrëdhëniet në mënyrë që të përparojnë në synimet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Palët janë pajtuar të mbështesin një plan të BE-së për këtë çështje, por tensionet mbeten të larta./REL