Posta e Kosovës ka reaguar pasi tre zyrtarë të saj u arrestuan sot në Kaçanik.
Nga Posta thonë se i kanë kërkuar Policisë hetim, si dhe u është ofruar mbështetje dhe bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rastit.
Ky është reagimi i plotë:
Të nderuar qytetar,
Lidhur me aksionin e sotëm të Policisë në Kaçanik, me pasojë arrestimin e tre zyrtarëve.
Posta e Kosovës njofton opinionin se rasti i keqpërdorimit në fjalë është kapur nga autoritetet e saj përkatëse dhe menjëherë i është drejtuar organeve të rendit.
Kemi kërkuar hetime dhe kemi ofruar mbështetje dhe bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rastit. Me këtë rast falënderojmë Policinë e shtetit tonë për profesionalizëm të pashoq.
Për këtë dhe për çdo rast tjetër, Posta e Kosovës do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë.
Po ashtu, Posta e Kosovës siguron të gjithë konsumatorët se çdo shërbim në zyrat postare është i sigurt dhe mbetemi të përkushtuar që çdo ditë të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve tona.