Raketa që ra në nëntor 2022 në fshatin polak Przewodow, pranë kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona, ishte ukrainase dhe jo ruse, konfirmoi të enjten ministria e drejtësisë e Polonisë.
Raketa ra pranë një shkolle, vetëm 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
“Hetimi nga prokurorët polakë çoi në përfundimin unanim se raketa ishte ukrainase”, tha Zbigniew Ziobro, Prokurori i Përgjithshëm i Polonisë. “Duke marrë parasysh se nga është gjuajtur dhe nga cila njësi ushtarake, ishte një raketë ukrainase”, shtoi ai, duke sqaruar se raketa ishte “sovjetike, e prodhimit rus”.
Ziobro në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij sepse “prej muajsh nuk ka asnjë bashkëpunim për rastin” nga ana e Kievit.
Rënia e raketës në fshat ngriti shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë, me përfshirjen e NATO-s, anëtare e së cilës është Polonia.
Ziobro nuk donte të fajësonte askënd për këtë episod. Megjithatë, partia e ekstremit të djathtë, anti-evropiane dhe anti-ukrainase kërkoi që Kievit t’i kërkohet të paguajë “reparacione”.