Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas veprimeve të ndërmarra në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës, sipas njoftimit të kësaj të fundit, muaj më parë kishte ndërmarrë një operacion që kishte rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të dokumenteve të zbrazëta të shteteve të ndryshme dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Policia njoftoi gjithashtu se në muajin janar të këtij viti, policia kishte ndaluar në Prishtinë një automjet me targa vendore, në të cilën është gjetur sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta.
“Në muajin janar të këtij viti njësitë e rendit të Policisë së Kosovës në Prishtinë kishte ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari me inicialet F.K., ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta”, thuhet në njoftim.
Pas hetimeve të mëtejme, në të njëjtën ditë, në një shtëpi në lagjen Veternik të Prishtinës është zbuluar një laborator i pajisur me makina të ndryshme lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës.
“Hetime intezive nga Policia e Kosovës kanë vazhduar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in” njoftoi policia.
Ndërkaq, sipas policisë, sot është siguruar prezenca dhe është intervistuar edhe një i dyshuari tjetër, me inicialet SH.E., si pjesë e grupit.
“I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK-së), është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.