Kreu i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili dhe aktori Gani Veseli u arrestuan mbrëmjen e 9 qershorit nga Policia e Serbisë. Ismaili dhe Veseli u arrestuan për shkak të një shfaqje teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës.
Sipas familjarëve të Ismailit, ai është marrë në stacionin policor për t’u intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptarë e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.
E disa orë pasi u intervistuan në stacionin e Policisë, Ismaili dhe Veseli janë liruar.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një publikimi në Facebook.
“Jemi mir, me drejtorin e Sh.K.te Bujanocit jemi liuar nga organet e Policis ne Bujanoc. Falemderit nga mesazhet e pa numerta, per cdo info neser do te japim njoftim permes konfereces, filmat nuk do te mbahen deri me nje koh te pacaktuar.”, ka shkruar Veseli.
Ndaj arrestimit të Ismailit, ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se Ismaili është arrestuar për shkak se ka lejuar një shfaqje teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës.