Policia e Kosovës (PK), ka reaguar pas zhvillimeve dramatike që po ndodhin në veri të vendit, duke theksuar se sipas detyrës zyrtare, PK është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse, shkruan Gazeta Metro.
Në një komunikatë dërguar mediave, Policia ka thënë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, ka njoftuar Policia.
Në Zubin Potok dhe Leposaviq, një grup serbësh janë mbledhur para ndërtesë së komunave.
Në media është raportuar se kryetari i ri i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i është ndaluar hyrja në objektin e komunës.
Metro do të ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet në veri.