Policia e Kosovës ka bërë të ditur se që nga e hëna e kësaj jave kur ka nisur që të shqiptojë gjoba për qytetarët që me vetura po hyjnë në rrugën “Xhorxh Bush”, ka shqiptuar rreth 500 gjoba.
“Njësiti i Trafikut për kryeqytet në rrugën “Xhorxh Bush” për arsye të mos respektimit të shenjave të trafikut që nga data 16 janar ka filluar të shqiptoj fletëparaqitje. Numri i gjobave është rreth 100 brenda ditës”, thuhet në përgjigjet e Policisë për KOHËN.
Sipas tyre zyrtarët policorë varësisht prej detyrave tjera operacionale në rrugën “Xhorxh Bush” do të operojnë deri sa të vlerësohet se është arritur qëllimi.
“Varësisht prej kundërvajtjes: Për mos respektim te shenjës se trafikut , gjoba sipas ligjit është e paraparë 40 euro. Por ne raste nëse behet tejkalimi ne vijën e plot atëherë gjoba është 150 euro dhe shoferit i konfiskohet përkohësisht patentë shoferi 3 muaj”, thuhet në përgjigjet e Policisë.
Sipas vendimit të fundit të Komunës së Prishtinës, në rrugën “Xhorxh Bush” lejohet vetëm qarkullimi i autobusëve të linjave 1, 3 dhe 4, taksive si dhe automjeteve të shërbimeve emergjente.