Policia e Kosovës bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka publikuar fotografinë e një personi të dyshuar me qëllim të lokalizimit të tij duke kërkuar bashkëpunimin me qytetarët.
Lidhur me disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në fshatin Turjakë në Malishevë, nga Stacioni Policor në Malishevë, janë duke u zhvilluar hetime intensive, ku gjatë veprimeve hetimore janë siguruar fotografi (nga kamerat e sigurisë) të personave që dyshohen se janë kryes të këtyre vjedhjeve,njofton Gazeta Papirus
Policia bën të ditur se në lidhje me rastin deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i identitetit të të dyshuarve, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Njësisë së Hetimeve në kuadër të Stacioni Policor në Malishevë, dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarve të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë)”, thuhet në njoftimin e policisë.