Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me sulmin fizik që i është bërë gjinekologut, Afrim Veliu, në lagjen Ulpiana në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Prishtinës, Agron Borovci, tha se gjinekologu teksa po futej në veturë është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor””, tha mes të tjerash ai.
Po ashtu, edhe zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar se lidhur me rastin hetimet kanë nisur.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka inicuar rastin ‘Lëndim i lehtë trupor’, bazuar në nenin 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me këtë çështje,” ka deklaruar ajo./ GAZETA PAPIRUS/