Policia e Kosovës njofton se mbrëmjen e sotme ka hasur në një kamion në afërsi të Ujmanit duke kontrabanduar mallra. Me t’iu përgjigjur rastit, Policia e Kosovës derisa nisi aksionin për ta ndaluar është penguar nga dy vetura civile, shkruan Reporteri.net.
“Sot në orët e mbrëmjes në afërsi të liqenit të Ujmanit në pjesën veriore të Mitrovicës, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile pa targa”, njofton PK-ja.
Policia thotë se dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabandë mallrash.
Lidhur me këtë rast janë alarmuar edhe njësitet tjera relevante policore, të cilët kanë asistuar zyrtarët kufitar, për hetim dhe kërkim të personave dhe automjeteve të dyshuara. Policia e Kosovës vazhdon angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në zbatim të ligjit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale”, njofton PK-ja.