Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes Stacionit Policor në Pejë dhe Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, ka nisur zbatimin e planit operativ “Motoçikletat 2025” që nga data 20 maj 2025, transmeton Gazeta Papirus.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë zbatimit të këtij plani janë sekuestruar gjithsej 14 motoçikleta të llojeve të ndryshme, ndërsa janë shqiptuar 40 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë: mosposedim të lejes së vozitjes, mungesë të kategorisë përkatëse, ngasje të mjetit pa regjistrim dhe shkelje të tjera të rregullave të komunikacionit.
Policia bën të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në mënyrë intensive dhe pa asnjë tolerim ndaj kundërvajtësve, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos ngasësit e motoçikletave, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për sigurinë e të gjithëve.