Që prej largimit të kryetarëve të komunave veriore nga postet e tyre dhe policisë që zhveshi uniformat, Beogradi është duke insistuar se policët e Kosovës nuk kanë të drejtë të shkojnë në Veri. Madje Vuçiq thotë se nuk e ka fjalën për Njësinë Speciale por për policë të rregullt. Ai thirret në marrëveshjen e Brukselit. Por, Ish -Këshilltari i Presidentit Thaçi Bekim Çollaku e ka përgënjeshtruar këtë.
Aleksandar Vuçiqi, ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar së fundmi për shkak të sulmeve në Veri. Përveç kësaj, Vuçiq ka edhe një kërkesë tjetër.
Ai ka kërkuar largimin e Policisë së Kosovës nga veriu “në përputhje me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE që përcakton pëlqimin e kryetarëve serbë në zonë për këtë”.
Mirëpo, sipas ish-Këshilltarit të Presidentit dhe ish-ministrit për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, Policia e Kosovës nuk ka asnjë kufizim në përmbushjen e detyrave operative në të gjithë territorin e Kosovës.
Këtë deklaratë të Vuçiqit, Çollaku e ka quajtur “trillim politik”, pasi ai vlerëson se “janë irelevante në relacion me mandatin e qartë dhe kushtetues të institucioneve të sigurisë për të siguruar zbatimin e rendit dhe ligjit në territorin e Kosovës.
“Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës veprojnë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Bazuar në këtë fakt, policia e shtetit të Kosovës nuk ka asnjë kufizim në përmbushjen e detyrave të tyre operative në gjithë territorin e Kosovës. Prandaj, për të siguruar zbatimin e rëndit dhe ligjit, në tërë territorin e Kosovës”, tha Çollaku për Express.
Ditëve të fundit në Veri ka pasur tensione për shkak të zgjedhjeve që fillimisht u planifikuan të mbahen më 18 dhjetor, mirëpo më pas u shtyn për muajin prill me kërkesë të ndërkombëtarëve.
Policia e Kosovës të shtunën arrestoi Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i PK-së, nën dyshimin se ka organizuar sulmet në zyrat e KKZ-së dhe ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës.
Kjo u bë arsye që serbët lokalë të vendosin barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.