Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes Facebook-ut ka bërë të ditur se mes të tjerash janë konfiskuar edhe 17 pllaka elektronike të cilat shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.
“Në zbatim të misionit për sundim të ligjit dhe luftës kundër kontrabandës, Njësitet kundër kontrabandës nga Dogana e Kosovës dhe Njësitet relevante nga Policia e Kosovës sot kanë zhvilluar aksion të përbashkët në Leshak të Komunës së Leposaviqit. Me këtë rast, nga ky aksion, në një lokal afarist njësitet kanë konfiskuar si mallra të kontrabanduara 93 kartela grafike, 8 pajisje Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave si dhe 280 litra pije alkoolike dhe 96 litra pije joalkoolike”, ka shkruar Xhelal Sveçla në Facebook.
Po ashtu ai ka theksuar se gjatë këtij aktiviteti është hasur edhe një automjet i dyshuar të cilit i janë konfiskuar produkte ushqimore që po i kontrabandonte nga Serbia.
Ministri Xhelal Sveçla ka falënderuar Doganën dhe Policinë për suksesin e sotëm, por edhe për siç thotë ai, vendosmërinë e tyre për të luftuar çdo fenomen që cenon rendin dhe ligjet e Kosovës.