Policia e Kosovës sot është deklaruar në lidhje me praninë e tyre në sheshin “Xhorxh Bush”, ku kanë vazhduar punimet, transmeton Gazeta Papirus.
Sipas Policisë, ata ishin në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë.
“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, ka thënë Policia e Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë sot gjatë punimeve se “policia e qon inspektoratin te shtëpia”.
“E kemi policinë dhe e çon inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë Rama.