Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën sot në 10 komuna. Policia e Kosovës tha se qëllim i aksionit ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të tyre, kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se nuk e ka autorizuar Policinë për kryerjen e këtij operacioni.
Pas këtyre zhvillimeve, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, duke thënë se ishte kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ndër të tjerash thuhet se operacioni u zhvillua në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.
Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.