Policia e Kosovës informon se alarmi për një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është pranuar përmes postës elektronike.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Gazetën Express se policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën.
“Rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, u shpreh Ahmeti.
Lidhur me këtë situatë të përsëritur, pasi edhe javën e kaluar pati alarm te rrejshëm për bombë, Gazeta Express ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga rektori Naser Sahiti, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.