Në mbledhjen e sotme të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ku u miratuan të hyrat e lejuara maksimale për OST/OT, OSSH-ja dhe FSHU-ja, ka pasur tensione dhe përplasje verbale mes gazetarëve dhe anëtarëve të bordit.
Pikë kulminante e tensioneve ishte kërkesa e anëtarëve të bordit që gazetarët të linin sallën për të vazhduar mbledhjen me dyer të mbyllura, pa dhënë informacion për përqindjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Gazetarët kundërshtuan këtë kërkesë dhe insistuan për transparencë në lidhje me çmimet e reja, përcjell Gazeta Papirus.
Kryesuesi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, u përgjigj duke deklaruar se “përgjigjen e keni në raportet që janë publike” dhe shtoi se një komunikatë zyrtare do të publikohet më vonë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe ka bllokuar hyrjen në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Tensionet mes gazetarëve dhe anëtarëve të bordit janë shoqëruar me thirrje për transparencë dhe informacion të qartë në lidhje me vendimet që mund të ndikojnë në çmimet e energjisë dhe në jetën e qytetarëve.