Nuk janë të rralla rastet kur Policia gjen dhe sekuestron armë tek të rinjtë kosovarë. Kjo dukuri shqetësuese dhe mjaft e rrezikshme, ka prekur të gjitha qytetet e Kosovës, ku vazhdimisht në Polici raportohen raste të ndryshme. Një rast i njëjtë ka ndodhur sot në mëngjes në rrugën ‘Eduard Lir’ në Prishtinë, ku Policia gjeti armë zjarri në banesën e një 17-vjeçari, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se njësitet policore me urdhër të prokurorit kishin shkuar të bastisin banesën e 17-vjeçarit, pasi që ai dyshohej se i kishte vjedhur një telefon të tipit iPhone 12 Pro Max një të mituri.
E vendndodhja e iPhone-it të vjedhur u bë e ditur përmes një aplikacioni që mundëson gjetjen e telefonit në raste të vjedhjeve apo humbjeve.
Me të arritur në banesën e të dyshuarit, 17-vjeçari ka pranuar se ka vjedhur telefonin e të miturit, i cili më pas u sekuestrua nga Policia dhe u kthye nën pronësi të personit të mitur i cili ishte viktimë e rastit.
Por gjatë bastisjes së banesës së 17-vjeçarit, Policia ka gjetur një armë zjarri me një karikator dhe tre fishekë.
Kjo bëri që i dyshuari të shoqërohet në Stacion Policor, ku më pas u intervistua nën praninë e prindit të tij nga njësia hetimore.
Lidhur me gjithë çka ndodhi, prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të hapet rasti ‘Mbajtje në pronësi kontrolli ose posedim i paautorizuar i armëve’.