Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, zyrtar në KRU “Hidromorava’’ në Gjilan pasi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, raporton Gazeta Papirus.
Sipas njoftimit, i dyshuarit me inicialet V.M., ia kishte dhëne pyetjet e testit me shkrim paraprakisht një kandidati.
Për të njëjtin rast, katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt
Ndërsa, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Komunikata e plotë:
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve rreth një rasti, kanë siguruar prova të besueshme se zyrtarë të KRU ,,Hidromorava’’ në Gjilan kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Dyshohet se anëtarë të komisionit të kësaj kompanie, të caktuar për zhvillimin e procedurave të dy konkurseve për punësim, i kanë dhënë pyetjet-përgjigjet e testit me shkrim, duke e favorizuar njërin prej kandidatëve i cili të nesërmen do t’i nënshtrohej këtij testi me shkrim.
Sot me datën 29.04.2025 ne zyrat e NJHRKEK-Gjilan, janë intervistuar anëtaret e komisionit në cilësinë e të dyshuarave në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare, gjate intervistave është kuptuar se i dyshuari V.M., (viti i lindjes 1984, mashkull kosovar), ia kishte dhëne pyetjet e testit me shkrim paraprakisht një kandidati.
Me këto veprime është krijuar dyshim i bazuar se i dyshuari V.M., (anëtar i komisionit) ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtare”.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt .