Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, para Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila pritet të vendosë rreth një propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës në vend, ka përfunduar me arrestimin e disa personave në mëngjesin e së mërkurës.
Aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës bllokuan zyrat e ZRRE-së në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, para se të prangoseshin nga Policia e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Arsyeja e arrestimit të tyre nuk është bërë e ditur, dhe as numri i personave të arrestuar. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por nga ky institucion nuk kanë dhënë hollësi për këtë ngjarje, përcjell Gazeta Papirus.