Disa javë më parë bëri jehonë në rrjete sociale, kjo pasi polici Amir Hoxha e shpëtoi një person nga vetëvrasja. Por vetëm pak ditë më vonë, i njëjti u suspendua nga puna e tij vetëm pse kërkoi pagesën për shujtat.
Zyrtari policor, Amir Hoxha ka konfirmuar se është suspenduar nga puna për një afat prej tre ditësh, pasi shprehu pakënaqësitë rreth mospagesës së shujtave për policët, përcjell Demokracia.com.
“Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam kryer veper penale apo shkelje të rëndë disciplinore , e që me sa dij unë me njohurinë time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër penale”, ka thënë ai.
Zyrtari policor ka kritikuar edhe pushtetin aktual, Qeverinë Kurti, duke thënë se po e përdor policinë për interesat e saj.
“Mirepo ne kete pike paskna gabuar sepse Pushteti atëherë kur po u lëkundkan interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta qe vet i perdor per ruajtjen e qenësisë se po atij pushteti”, shtoi ai.
Por në janar të këtij viti, polici Amir Hoxha kishte shpëtuar një person nga vetëvrasja. Kjo ishte bërë lajm edhe në mediat vendore, të cilat e quanin atë “polici hero”, përcjell Demokracia.com.
Burime të indeksonline, kishin konfirmuar se personi në fjalë ka qenë i dehur, duke qarë dhe duke shkumuar nga goja, si dhe duke ecur zvarrë drejt grëminës nga ku edhe do të hidhej.
Me intervenimin e policit, duke e kapur atë dhe tërhequr nga këmba, është parandaluar incidenti.
Polici Amir Hoxha ka reaguar për padrejtësitë që u bëhen policëve në lidhje me pagat, vetëm pas publikimit të mëditjeve që marrin deputetët për karburant.
Këtu u zbulua mashtrimi i shumë deputetëve, të cilët jetojnë në Prishtinë, po marrin qindra euro si mëditje për derivate./Demokracia.com/