Një pjesëtar civil i Policisë së Kosovës, bashkë me djalin e tij, po dyshohen se janë përfshirë në një rrahje në Gjakovë. Ngjarja ka ndodhur të hënën mbrëma, dhe rasti dyshohet se ka ndodhur shkaku i një konflikti pronësor me një familje tjetër gjakovare.
Gazeta Online Reporteri.net ka marrë vesh se polici në fjalë është P. Pepaj dhe djali i tij Sh. Pepaj. Ata po dyshohen se kanë rrahur dy persona tjerë, të një familje në Gjakovë, shkaku i një mosmarrëveshje për një banesë.
Babë e birë janë arrestuar dje në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës. Dhe në rast është përshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
“IPK është njoftuar për këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj pasi që informacionet ishin se ne këtë rast ishte i përfshirë si i dyshuar edhe një pjesëtar i policisë (zyrtar i stafit civil pa autorizime policore dhe jashtë detyrës zyrtare). Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore duke përfshirë edhe analizimin e disa video pamjeve të incizuara nga kamerat e sigurisë së një lokali. Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (zyrtarin e stafit civil dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor””, ka njoftuar IPK të martën.
Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse si pjesë e procedurës administrative pjesëtari i policisë (stafit civil) është suspenduar, thotë njoftimi.