Kevin Murataj është 19-vjeçari shqiptar që ndërroi jetë në mënyrë tragjike në Itali mesnatën e 26 majit. I riu u përplas për vdekje nga një makinë teksa po kalonte rrugën në zonën e Lignano Sabbiadoro (Udine) .
Mediet italiane raportojnë se aksidenti tragjik ndodhi në momentin kur 19-vjeçari doli nga një piceri ku kishte darkuar me mësuesit dhe shokët e klasës për të festuar përfundimin e maturës.
Kevin Murataj, me prindër shqiptarë, i rritur në Foggia dhe banues në Latisana (Udine), ishte në vitin e fundit të gjimnazit.
I riu u transportua me urgjencë drejt spitalit, por përplasja ishte e fortë dhe ai ndërroi jetë rrugës.
“Kevini po kalonte rrugën te vijat e bardha, shoferi nuk e pa dhe e përplasi”, ka thënë për mediat italiane daja i 19-vjeçarit.
Autoritetet në Itali po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.