Policia në Shqipëri ka njoftuar se në pikën kufitare në Morinë është ndaluar një 30-vjeçar nga Presheva.
Ai ishte i kërkuar nga autoritetet në Austri për trafikim të lëndëve narkotike.
Policia e Shtetit ka thënë se Interpoli në Tiranë po bashkëpunon me Interpolin në Vjenë për ta ekstraduar të dyshuarin.
“Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet austriake, për trafikim të lëndëve narkotike, ndalohet 30-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve të bazuara tek analiza e riskut, të kryera në kuadër të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të Morinës, me objektiva goditjen e krimeve në kufi dhe parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës, shtetasi O. K., 30 vjeç, banues në Preshevë.
Nga verifikimet e detajuara dhe intervistimi në vijë të dytë, ai rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të autoriteteve austriake, për trafikim të lëndëve narkotike. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Vienën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Austri”, shkruhet në njoftim.