Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë të ikin nga duart e drejtësisë. Vetëm gjatë ditës së sotme, kanë rënë në prangat e Policisë disa persona të kërkuar në Gjilan, Prizren e në pikën e kalimit kufitar në Merdar, raporton Gazeta Sinjali.
Një 27-vjeçar që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është arrestuar sot. I riu që ishte dënuar me burgim për veprën penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Gjilan.
Për të njëjtën vepër penale po kërkohej edhe një person në Prizren. 32-vjeçari po shijonte lirinë nga arratia deri mëngjesin e sotëm kur u arrestua në rrugën ‘Tahir Zajmi’. Pas arrestimit ai është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Në Prizren është arrestuar edhe një tjetër i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës, i cili pasi ka paguar gjobën, është liruar.
Në prangat e Policisë ka përfunduar edhe një i moshuar në pikën e kalimit kufitar në Merdar. Sinjali mëson se gjatë verifikimit të të dhënave, ka rezultuar se ndaj 67-vjeçarit ka urdhërarrest aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Atij i është marrë pasaporta dhe është obliguar që të paraqitet në Gjykatë.