Shpenzimet enorme të deputetëve të Vetëvendosjes në karburante për një periudhë vetëm 2 mujore, para këto të paguara nga buxheti i shtetit kanë shkaktuar reagime shumë të mëdha.
Kësisoj, rrjetet sociale janë mbushur me postime të mëhershme të zyrtarëve të VV-së të cilët krekoseshin për kursimin e buxhetit të shtetit, shkruan lajmi.net.
I tillë është edhe postimi i deputetes Fitore Pacolli, teksa ajo publikonte fotografi me disa deputetë tjerë të VV-së, me disa gota me ujë në duar, duke thënë “lajmin e madh” se po kursehet buxheti dhe se nga tani e tutje do të pihet ujë vetëm nga ujësjellësi.
“Do të pijmë ujë që vjen nga rrjeti publik sikurse pin mbi 80% e popullatës në Kosovë. Kjo e ngrit edhe vetëdijen e secilit deputet për rëndësinë e cikësisë së ujit të rrjetit publik. Do të ulim shpenzimet e parasë publike. Kuvendi shpenzon rreth 9 mijë euro në muaj për furnizim me ujë. Çdo vit do të kursejmë rreth 25 mijë euro”, shkruante deputetja Pacolli në postimin që ia shoqëronte edhe disa fotografi me kolegët e saj që dukeshin të gëzuar “që po kursehet buxheti”.
Mirëpo deputetët e VV-së nuk po dalin të jenë edhe aq kursimtarë.
Deputetja e këtij subjekti, Yllza Hoti ia ka shpenzuar shtetit hiç më pak se 810 euro për dy muaj në karburante.
Për më tepër ajo figuron se ska veturë dhe se jeton në Prishtinë, aty ku edhe gjendet objekti i Kuvendit të Kosovës që është edhe vendi i saj i punës.