Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ministria që ajo drejton do të kërkojë raport zyrtar nga Universiteti i Prishtinës për studentët që morën bursa për regjistrim si “studentë” në programin Gjuhë shqipe dhe Letërsi Shqipe në Filologjik, e më pas nuk i vazhduan studimet.
Albin Kurti dhe qeveria e tij kishte marrë vendim që të ndaheshin nga 1 mijë euro për studentët që do të regjistronin këtë program, por shkak se numri i studentëve po pakohej.
Të enjten, KOHA, ka publikuar lajmin në të cilin raportohej se si gjysma e studentëve që kishin marrë 1 mijë euro për regjistrim, nuk kanë vazhduar studimet.
Në Gjuhë shqipe studimet nuk i kanë vazhduar gati gjysma e atyre që morën 1 mijë euro për regjistrim, ndërkaq nga 60 të regjistruar në Letërsi janë 5 apo 6 veta.
Sapo nisi viti akademik, 113 mijë euro u shpërndanë për bursa e profesorët e këtyre programeve kanë thënë se kjo mënyrë ka prodhuar edhe kundërefekt.
Në një shkrim në Facebook të premten në mbrëmje, Nagavci ka thënë se vendimi për këto bursa ishte marrë për shkak të shqetësimit se programet rrezikojnë mbylljen shkaku i mungesës së interesimit nga nxënësit. E për menaxhim të procesit, ajo ka thënë se është përgjegjësi e institucioneve të arsimit të lartë. Nagavci ka thënë se do të kërkojnë raport zyrtar e se më pas do të merren hapat e nevojshëm për adresim të çështjes.
“Në këtë kontekst, me shqetësim kemi pranuar informacione nga mediat se ka raste që përfitues të bursave kanë ndërprerë studimet e tyre. Në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, MASHTI do të kërkojë një raport zyrtar nga Universiteti i Prishtinës lidhur me këto raste dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar përgjegjësitë institucionale. Njëkohësisht bashkë me menaxhmentin e UP-së dhe stafin aty do të vlerësojmë veprimet tutje me qëllim të efikasitetit të plotë në raport me masat afirmative në mbështetje të programeve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe është prioritet i Qeverisë. Nagavci ka thënë se institucionet arsimore duhet të garantojnë që investimet të përkthehen në rezultate të matshme dhe të qëndrueshme.