Për herë të dytë gjatë ditës së sotme, punimet e seancës gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë janë ndërprerë për një pauzë. Pas pauzës, ekipet e mbrojtjes të të akuzuarve të tjerë do të vazhdojnë me deklarimet e tyre hyrëse.
Çka ndodhi në pjesën e dytë?
Hashim Thaçi iu drejtua Dhomave të Specializuara përmes një fjale të shkurtër. Ai fillimisht kërkoi falje për të gjitha viktimat dhe shprehu sërish pafajësinë.
Thaçi tha se ky gjykim ka dëshmuar se ai, as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk kanë kryer trafikim organesh, akuza të bëra në një raport të Këshillit të Evropës, që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Sipas ish-presidentit të Kosovës, drejtësia për viktimat nuk mund të arrihet përmes ndjekjes së personave të pafajshëm. Ai shprehu bindjen se në fund të procesit do të dëshmohet se është i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës
Thaçi tha se synimi i rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur ishte i njëjtë, ai i lirisë së Kosovës.
Para fjalimit të Thaçit, ekipi i mbrojtjes së tij tha se UÇK-ja nuk ka pasur politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve, ashtu siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.